Arkivi
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës
Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në
kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,
Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri
që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e
qytetarëve të saj,
Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së
kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,
Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të
diversitetit të popullit tonë,
Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në
familjen euroatlantike të demokracive,
Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja
jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo
situatë tjetër,
Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan
ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,
Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë
qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën
administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,
Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale,
multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e
qytetarëve tanë,
Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht
ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të
ardhshëm politik,
Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm
për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve
tanë,
Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të
Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë
gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë
me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe
qeverisjen e mirë,
Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i
jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej
konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë
demokratik i shoqërisë sonë,
Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha
për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,
1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë
demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të
pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë
dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit
Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e
tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.
2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe
multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes
së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të
drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e
nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe
vendimmarrëse.
3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në
Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të
udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht
ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të
përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe
promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një
kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e
njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë,
posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të
Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet
relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një
procesi demokratik dhe të kujdesshëm.
5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë
ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive
ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të
Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe
mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin
e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të
udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim
NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare
ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas
Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
(1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet
e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të
bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar
paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.
6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e
ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne
shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për
të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të
jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim
europian dhe euroatlantik.
7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për
punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin
pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të
përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e
Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në
vijim.
8. Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në
bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe
do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin
Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe
Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve
të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet
ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë
ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe
do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin
territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të
përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që
është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.
9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të
Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i
Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK),
si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës
Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si
ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet
diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me
Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të
kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova
do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit
ndërkombëtar.
10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në
rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund
procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces
ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar
një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej
konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të
bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë
tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.
11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur
marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën
e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe
shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e
afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar
marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e
Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.
12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe
të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të
plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë
këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të
gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e
së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të
Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim
publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në
këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe
mbështetjen e tyre.
